Editori i “BIRN”, Besar Likmetaj, ka folur për aferën e shekullit, atë të inceneratorëve, ku ka deklaruar se inceneratori i Tiranës, i cili nuk ekziston, vijon të paguhet nga taskat e qytetarëve shqiptarë.
Ai ka theksuar në emisionin “A Show”, se ky incenerator duhet të ishte bllokuar nga Prokuroria dhe jo të shmangej vëmendja që qyetarët të vazhdojnë të paguajnë për një incenerator “fantazmë”.
Më tej, editori Besar Likmetaj nënvizoi se ka shumë probleme në mënyrën se si është bërë hetimi për megaaferën e shekullit.
“Inceneratori i Tiranës vazhdon të paguhet nga qytetarët në një kohë që duhet të ishte bllokuar nga prokuroria dhe shmangin vëmendjen nga problemi kryesor që ne të vazhdojmë të paguajmë për diçka që është vjedhje.
Ka probleme me mënyrën se si është bërë hetimi për sa i përket aferës së inceneratorëve. Fatkeqësisht ato akuza që ne shohim sot në media janë të sponsorizuara nga grupe interesi që kanë akses në media të caktuara dhe sponsorizojnë agjendat e tyre kundër prokurorëve të caktuar. Kjo nuk do të thotë që hetimi i prokurorisë është profesional ose hetimi i prokurorisë po e çon çështjen e interesit publik.
Kjo thjeshtë do të thotë se ka grupe interesi ose palë të përfshira në këtë aferë shumë të pistë kriminale piramidale kur qytetarët shqiptarë vetëm humbin, që vazhdojnë ta luftojnë njëra-tjetrën kur në këtë moment drejtësia duhet t’i kishte vendosur të paktën në një lloj gjendjeje sekuestrimi grupet e interesit ose të ruante sa më shumë paratë e taksapaguesve shqiptarë”, theksoi ai.