Kampionati u ndërpre, por për Lushnjën nuk ka pushim. Skuadra ka vijuar stërvitjet dhe me ritëm të lartë madje. Mund të themi që Gugash Magani i ka “shtrydhur” lojtarët, pasi i ka zbritur dy herë në fushë. Është punuar më së shumti taktikisht, për të perfeksionuar disa manovra. Verdhejeshilët sikur e kanë mbledhur veten pas asaj fitoreje me Luzin, por vend për rehati nuk ka. Vendi i nëntë i rrezikon dhe kërkohet vazhdimësi.
Këtë e thotë edhe Ledion Ruço. “Morëm një fitore që na duhej kundër Luzit. Kishim shumë nevojë jo vetëm për të fituar terren në renditje, por edhe për moral. Mund ta them që na ndihmoi edhe psikologjikisht. Kampionati është ndalur, por për ne ka qenë një javë e ngarkuar. Kemi pasur edhe ditë me dy seanca stërvitore. Po punojmë me kokën ulur për të ndrequr gabimet e bëra deri më tani.
Ka ardhur koha që të lëmë pas të shkuarën dhe të marrim vetëm rezultate të mira në vazhdim, që do të na ngjisin në klasifikim. Por kjo arrihet me përgatitje serioze dhe paraqitje të mira. E rëndësishme është që skuadra të mbajë ritmin. Kemi katër pikë në dy javët e fundit dhe e rëndësishme është që të mos ndalemi”, përfundoi 32- vjeçari.