Aroma e fokaçes së ngrohtë ndihet me kilometra larg!
Një gatim me bazë brumi i cili ka një shije marramendëse në të gjithë versionet e tij.
Mund ta keni provuar me recetën klasike me vaj ulliri dhe rozmarinë, apo atë plot shije me domate, gjithsesi fokaçja mbetet e preferuara e familjes.
Ju tregojmë hap pas hapi përgatitjen e e fokaçes me kungulleshka, duke qenë se tani janë edhe në sezon.
Fetat e kungulleshkave do të shihni që do t’i japim një aromë dhe shije krejtësisht të veçantë duke e kthyer fokaçen në pjatën kryesore të tryezës.
Përbërësit për brumin e ardhur
100g miell
1g maja e njomë
100ml ujë
Përbërësit për brumin
400g miell
10g kripë
20ml vaj ulliri
200ml ujë
4g maja të njomë
Përbërësit për mbushjen
100g kungulleshka
Kripë
Piper të zi
10ml vaj ulliri
Përgatitja
Për të përgatitur këtë recetë të shijshme duhet që në fillim të përgatisni brumin e ardhur.
Në një tas përzieni miellin, majanë dhe ujin e përshkruar në recetë.
Punojeni lehtë me një lugë derisa të formoni një brumë të hollë që i ngjason një mase kremoze.
Këtë brumë duhet ta lini të pushojë për 12 orë, ndaj dhe këshillohet që ta përgatisni që në darkë.
Kur brumi i ardhur të jetë gati kalojeni në një tas më të madh.
Aty shtoni ujin, majanë, miellin, kripën, vajin e ullirit dhe nisni ta punoni me duar.
Kur të shihni që përbërësit janë lidhur, ju sugjerojmë që brumin ta kaloni në sipërfaqen e tavolinës suaj.
Punojeni lehtë duke mos i shtuar miell, pasi brumi duhet të ketë pak lagështirë.
Kalojeni brumin në një tas dhe mbulojeni me qese kuzhine për ta lënë të pushojë për 3 orë.
Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur punojeni lehtë brumin dhe vendoseni në një tavë të spërkatur me vaj.
Lyeni sipërfaqen e tij me vaj ulliri dhe vendosni fetat e grira të kungulleshkave duke i shtypur lehtë.
Spërkateni me piper të zi dhe pak kripë për shije dhe piqeni në furrë me 200 gradë për 25-30 minuta.
Burimi: AgroWeb.org