Flamurtari vijon të shohë shumë profile për trajnerin që do të drejtojë klubin vlonjat në Superiore. Emra si Shpëtim Duro, Collella apo De Biasi dolën në mediat e shkruara, por në orët e fundit një emër ka dalë në skenë dhe ai është Mirel Josa. Klubi vlonjat ka nisur bisedimet me trajnerin 62-vjeçar, që së fundmi ka drejtuar ekipin e Suharekës në Kosovë.
Kur orët po ikin shpejt dhe “rripi po ngushtohet”, me sa mësohet, administratori Idrizi në morinë e shumë emrave që ka pasur në tavolinë, zgjedhje të preferuar ka Mirel Josën. Madje, tashmë edhe e ka bërë përzgjedhjen që është… trajneri kryeqytetas. Por mbetet edhe në dorën e Josës të pranojë ofertën, që, për hir të së vërtetës parashikohet të jetë “e majme”.
Josa ka një eksperiencë të gjatë dhe e njeh mjaft mirë Superioren. Ai ka drejtuar Tiranën, Vllazninë, Teutën, Skënderbeun, Shkumbinin, Laçin, Kukësin dhe Besën. Josa ka qenë trajner edhe në Kosovë, te skuadrat e Prishtinës, Vëllazërimit dhe Suharekës. E ndërsa i ka provuar thuajse të gjitha ekipet e Superiores në Shqipëri, i mungon një aventurë te Flamurtari, ndërsa është koha të bëhet realitet.
Me ardhjen e Josës mund të ketë edhe ndryshim planesh, ku mund të kemi ndryshime fatesh për të ardhmen e grupit që mbylli sezonin e fundit në Kategorinë e Parë. Josa e njeh Flamurtarin, pasi në pjesën e parë të sezonit të shkuar trajneri kryeqytetas drejtoi Besën dhe i kishte rivalë si në kampionat dhe Kupë.