Emiljano Çela mendon se Kukësi ka cilësitë e duhura për të mos rrezikuar mbijetesën në Kategorinë e Parë, që mbetet objektivi primar i skuadrës. Pas ndeshjes ndaj Flamurtarit, trajneri i verilindorëve theksoi se i kishte pëlqyer mënyra e reagimit të skuadrës që do të përmirësohej javë pas jave.
“Patëm mundësi të barazonim, pishman kam vetëm dy golat e pësuar. Një ndeshje zgjidhet nga këto episode, jemi ekip i ri, në proces pune, shpresojmë të ngrihemi shpejt se ndeshjet janë afër. Tani kemi një bllok ndeshjesh me kundërshtarët tanë dhe duhet patjetër të na gjejë gati.
Në përgjithësi, në këto momente që kam ardhur, po mundohem të krijojmë modulin e sistemin e lojës në bazë të cilësive që kemi e gjejmë. Jemi në proces punë, më duhet kohë të njoh limitet e lojtarëve, të njoh që janë në pozicione natyrale. Kur të njoh cilësitë dhe limitet e tyre, mund të zgjedhim sistemin e lojës që t’i çojmë në më të mirën e vet këtë grup. Në ndeshjen e sotme jam i kënaqur se lojtarët shfaqën agresivitet, çuan veten në limite dhe dhanë maksimumin.
Nuk mendoj se Flamurtari pati në lojë ndonjë superioritet, patëm rast ne para se të shënonin ata të dytin. Mendoj se gjërat e rëndësishme i bëmë ne sot, pavarësisht rezultatit. Ne duhet të luajmë, i rritim lojtarët dhe stërvitim ata, çdo ndeshje është eksperiencë dhe gabim i ri për ta. Duhet të mësohen, duhet të sakrifikojmë që të rritemi. Mendoj se kemi cilësi që në fund nuk do rrezikojmë në renditje”, tha Çela për RTSH pas përfundimit të ndeshjes.