Një fëmijë i moshës 1 vjeç, dyshohet se u infektua me HIV në Pediatrinë e QSUT më 27 nëntor 2021. Fillimisht rasti u përpoq të mbahej i fshehtë dhe të kalonte në heshtje, por prindërit e të miturit denoncuan rastin pranë mediave. Fëmija 1 vjeç ishte shtruar në reanimacionin e Pediatrisë nga bronkopneumonia, kur pas disa analizash rezultoi se ishte mbartës i HIV. Të dy prindërit e tij ishin negativë, çka ngriti dyshimet se fëmija e ka marr sëmundjen e rëndë në spital nga pakujdesia e mjekëve.
Pas një kalvari të gjatë, Gjykata e Apelit në Tiranë ka urdhëruar së fundmi Prokurorinë e Tiranës që të nisë hetimet. Shkak u bë insistimi dhe kallëzimi i prindërve të fëmijës. Ata kanë akuzuar bluzat e bardha në Pediatrinë e Tiranës se nuk kanë marrë masat e nevojshme për të kujdesur gjatë trajtimit të fëmijës së tyre.
Madje dy prindërit ju drejtuan laboratorëve në Gjermani dhe në Itali për analiza të mëtejshme. Pas analizave, në të dy laboratorët e huaj ka dalë se prindërit e foshnjës 1 vjeçe nuk ishin bartës të HIV dhe për rrjedhojë fëmija nuk ishte infektuar prej tyre. Aktualisht fëmija ndodhet së bashku me prindërit në Itali, ku po trajtohet për shërimin e sëmundjes.