Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se nuk ka asgjë për të shtuar për fatin e Ervis Martinajt deri më sot.
“Ne jemi duke punuar. Kemi struktura që po ndjekin rastin jemi në ecuri të procesit. Nuk kam asgjë më tepër për të deklaruar.” tha Rrumbullaku.
Ndërkohë që fati i Martinajt mbetet mister, aludimet janë të shumta, duke filluar nga rrëmbimi i tij e deri të dyshimet se është vrarë.
Martinaj është zhdukur që në muajin gusht, dhe kryeministri Edi Rama ka deklaruar disa javë më parë se policia e ka një përgjigje, por nuk mund të dalë ta thotë zyrtarisht pa pasur provat e duhura
“Nëse përgjigja do të ishte aty dhe do të ishte fshehur, do të kishte dalë për 9 ditë. Duhet të kemi durim, sepse përgjigja duhet të jetë me prova. Nuk është thjesht një përgjigje që pak a shumë e kemi që sot, por nuk mund të thuhet zyrtarisht pasi duhet të jetë e provuar”, ka thënë Rama më 17 shtator.
Sot policia e Vlorës mbajti një deklaratë për shtyp ku gazetarët i drejtuan pyetjen nëse po kërkohet për fatin e Ervis Martinajt në këtë qytet?
Kësaj pyetje policia e Vlorës i dha përgjigje duke thënë se ka një plan të detajuar për kontrollet.
“E vërtetë që FNSH ka qenë prezent ne qytetin e Vlorës. Ka një plan të detajuar nga shërbimet e policisë, e kemi pasur dhe mbështetjen e tyre. Këto kontrolle do vijojnë e në javët në vijim në lidhje me procedimet që kanë ngritur skuadrat e hetimit”, tha zyrtari i Policisë.
I pyetur nga gazetarët nëse policia ka informata që Martinaj ka qenë në Vlorë, zyrtari i Policisë tha se:
“Është një çështje që nuk i përket qarkut të Vlorës. Strukturat e DVP Vlorë mbështesin të gjitha strukturat e drejtorive të tjera policore për çfarëdo lloj verifikimi apo operacioni në terren”.