Etrit Berisha protagonist absolute në finalen e Kupës së Suedisë në takimin Malmo-Hacken. Takimi përfundoi pa gola deri në momentin e ekzekutimit të penalltive. Heroi i Hackenit në finale u bë portieri Etrit Berisha. Kur finalja e Kupës ishte gati të fillonte, pati shumë kaos në Malmo nga ana e shikuesve të ekipit vendës. Ata nuk pranonin që para tyre të qëndronte një rrjetë e sigurisë.
Kjo bëri që ndeshja të shtyhej fillimisht dhe më pas të ndërpritej për rreth 20 minuta, pasi ishte luajtur vetëm një minutë. Kur ndeshja rifilloi, pati momente tensioni dhe disa raste shënimi nga të dyja ekipet. Portieri i Hackenit, Etrit Berisha, bëri disa pritje të mira për ta ruajtur rezultatin 0:0 në pjesën e parë. Edhe në pjesën e dytë, Berisha ishte sërish në krye të detyrës. Falë paraqitjes së tij, Hackeni siguroi fillimisht vazhdimet e më pas edhe penalltitë. Por deri te momenti i penalltive, në fushë kishte shumë tensione. Megjithatë, gola nuk pati deri në penallti.
Etrit Berisha ishte në qendër të vëmendjes. Ai njihet për pritjen, por edhe realizimin e penalltive. Ai priti dy penallti. Priti penalltinë e parë dhe të tretë të Malmos, ndërsa ishte i saktë gjatë gjuajtjes së penalltisë së katërt për skuadrën e Hackenit.Hackeni fitoi 4:2 nëpërmjet penalltive.
Për Hackenin është Kupa e katërt në histori të klubit. Ka fituar një herë edhe titullin në vitin 2022. “Ndiheshim të qetë që afrohej koha e gjuajtjes së penalltive. Gjatë kohës shtesë u përpoqëm ta ruanim portën e paprekur dhe të luanim më shumë në mbrojtje. E dinim që ishim të mirë në penallti”, tha portieri Berisha.