Trajneri i Flamurtarit, Dritan Resuli, mendon se dy golat e shpejtë që pësoi ekipi i tij, ndikoi në eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.
“Në radhë të parë i uroj sukses Vllaznisë dhe të shkojë sa më lart në kampionat dhe në Kupë. Unë kam në grup shumë lojtarë cilësorë dhe e kishim përgatitur ndeshjen se edhe nga eksperienca e 2-3 viteve më parë, jemi ndeshur shumë të barabartë. Kjo ndeshje kishte aromë Superioreje, edhe pse jemi ekip i Kategorisë së Parë dhe i dinim të gjitha mundësitë tona deri sa larg mund të shkojmë.
Po të shohim zhvillimin e lojës, e patë vetë mënyrën si u ndëshkuam me ato gabime që janë normale në futboll. Duhet më shumë përgjegjësi, lë shumë vend përmirësimi për punën që duhet të bëjmë.
Ndeshjet që janë me një takim kanë një specifike tjetër, në ato mënyra si kishim përgatitur ndeshjen, mendoja se do të ishim shumë të qartë në këtë pjesë. Por ai gol i shpejtë me penallti, goli i dytë i pësuar, i prishi balancat. Ne kemi një grup lojtarësh shumë të mirë, e them me bindje, jemi një ekip që luajmë mirë futboll. Flamurtari i ka të gjitha kapacitet për Superioren, e ka shumë të madh besimin që do të jemi pjesë e Superligës se besoj te këto lojtarë.