Elbasani ka mundur Bylis 1-0, falë një goli të shënuar nga Kristi Qose, duke marrë tri pikë të rëndësishme në luftën për Final Four. Pas një ndeshjeje të vështirë, ku Bylis u mundua të bëjë kundërsulme, verdheblutë siguroi fitoren dhe vazhdon të ndjekë Partizanin për një vend në katër të parët. Nga ana tjetër, Bylis mbetet në rrezik për mbijetesë, pasi e gjen veten në pjesën e poshtme të tabelës, duke u përballur me një sfidë të madhe deri në fund të kampionatit.
Në mungesë të Lleshit dhe Mustës, te Elbasani duket se po e bën ai bomberin në këtë fund kampionat. Sakaq, ai tregon edhe “sekretin” e golave këto javë.
“Normalisht jam i gëzuar dhe krenar që shënova dhe në fund skuadra mori fitoren. Tani shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe me dy ndeshjet që na kanë mbetur. Personalisht mundohem gjithnjë që të shkoj drejt zonës dhe të përfitoj për të shënuar, ndaj edhe kanë ardhur këto golat. Edhe më herët e kam provuar, por tani po marr frytet. Nuk mund të them se po zëvendësoj Lleshin dhe Mustën për golat, sepse është përgjegjësi e madhe”, u shpreh fillimisht mesfushori i Elbasanit.
“Të gjithë besojmë tani te vendi i katërt dhe do bëjmë detyrën tonë në dy ndeshjet që kanë mbetur. Do mendojmë fillimisht për Vllazninë, ku shpresojmë ta kalojmë me sukses. Edhe me dorë të jetë (qesh), vetëm të shënoj gol dhe të fitojë skuadra”, ishte batuta e Qoses në lidhje me mundësinë për të shënuar sërish.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Elbasani fitoi me golin e tij, Kristi Qose entuziasmon publikun verdheblu: Besojmë te vendi i katë… […]
Comments are closed