Elbasani do të presë Bylisin në ndeshjen që vlen për javën e 34-t të Superiores. Verdheblutë janë vetëm 1 pikë larg Partizanit, që mbyll zonën e Final Four. Gvozdenoviç shfaqet optimist para ndeshjes në “Elbasan Arena”.
“Deri tani jam i kënaqur, por jo vetëm unë, jam i sigurt dhe tifozët e Elbasanit, stafi im, lojtarët, të gjithë bashkë. Sot kemi 46 pikë, vetëm 1 pikë larg Final Four. Nga vendet poshtë jemi siguruar, deri tani mund të them jam i kënaqur me skuadrën.
Nga fillimi ishim me besim të madh, akoma do vazhdojmë, e gjitha është e hapur se kemi dhe 3 javë të fundit, ndeshje të vështira. Kalendari i vështirë, por të gjithë bashkë kemi besim të madh për të kapur Final Four. Do luftojmë në fushë si gjithmonë, pastaj zoti do vendosë. Jam i sigurt çdo javë, dhe kur firmosa për Elbasanin, deri tani, çdo javë e vështirë. Edhe Ballshi i vështirë, ndoshta më i vështirë se Egnatia. Kanë nevojë për pikë, do luftojnë fort, por ne jemi gati, kemi besim të madh, do luftojmë fort në fushë, pastaj nëse e meritojmë do e fitojmë.
Nuk dua shumë eufori, dua të rrijmë me këmbë në tokë, akoma nuk jemi në Final Four. Nëse e kapim Final Four, do mendojmë për çfarë do luftojmë, mund të bëhemi kampionë apo jo. Deri tani jemi në vendin e pestë, 1 pikë larg nga Final Four, më mirë mos flasim shumë.
Do presim këto 3 javë, nëse kapim Final Four ndoshta mund të mendojmë edhe për kampion. Për momentin jemi në vendin e pestë, kemi 3 javë përpara, do luftojmë dhe pastaj ndoshta mund të flasim pak më shumë për titullin kampion te Elbasani”, u shpreh Gvozdenoviç.