Egnatia-Kukësi.Sezoni 2023-2024 është në fundin e tij dhe klubi rrogozhinas është ekipi i vetëm në vend që është në lojë për të fituar të dy trofetë aktualisht. Të parin mund ta fitojë sot, kur rrogozhinasit do të luajnë finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Kukësit. Drejtuesit e klubit, përtej bonuseve të firmosura në kontratë me futbollistët, kanë premtuar edhe një premio të majme. Nga burime pranë klubit mësohet se shuma që mund të përfitojnë stafi teknik dhe futbollistët është 20 mijë euro.
Po ashtu, një shpërblim të konsiderueshëm do të ketë edhe për titullin kampion në Superiore. Kujtojmë që gjatë sezonit Egnatia fitonte bonuse pas 3 fitoreve radhazi. Presidenti Demrozi ka dashur ta motivojë gjithmonë financiarisht skuadrën në duelet vendimtare të sezonit 2023-2024.
Te Kukësi, në rast triumfi lojtarët mund të shpërblehen me rreth 30 milionë lekë të vjetër. Kujtojmë që në rast të një fitoreje në këtë kompeticion, blutë do të merrnin pjesë automatikisht në kupat e Europës dhe aty do të arkëtonin jo pak miliona, që mbi të gjitha do të shërbenin edhe për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ardhshëm që do të jetë pjesë e Kategorisë së Parës.
FORMACIONI I KUKËSIT
Mund të thuhet se ka pak dilema sa i përket titullarëve në këtë ndeshje, sepse jo rastësisht Devolli la pushim në ndeshjen e fundit të kampionatit thuajse të gjithë ekipin që është programuar për të luajtur nga minuta e parë.
Problemet e vetme kanë qenë ato të sulmuesit të krahut, Mustafa Salami dhe mesfushorit Kleandro Lleshi, por që sipas të gjitha gjasave do të jenë të gatshëm për këtë përballje. Gjasat janë që Kukësi i finales të mos ketë shumë ndryshime nga ai i ndeshjeve të kaluara, me të cilët Devolli ia ka dalë ta dërgojë skuadrën deri në këtë pikë.
FORMACIONI I EGNATIAS
Egnatia pritet të luajë me skemën 4-3-3, me Sherrin në portë, Fangajn, Ndrecën, Xhemajlin dhe Malotën në mbrojtje, Ahmetajn, Fernandon dhe Zejnullain në mesfushë, kurse në sulm Spahiu dhe Ibrahimoglu do të mbështesin Montenegron.