Egnatia ka nisur sot rrugëtimin në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë u përballën në “Egnatia Arena” me islandezët e Breidablik. Atmosfera në stadium ishte fantastike, me tifozët vendas që kishin mbushur shkallët për të mbështetur ekipin drejt një rezultati pozitiv. Rrogozhinasit e nisën keq takimin pasi humbën një titullar që në minutat e para, Edison Ndreca u largua për shkak dëmtimi dhe në vend të tij u fut blerja e re Anio Poçi.
Në minutën e 18-të, Egnatia pati një shans shumë të mirë për të gjetur golin, por fillimisht Regi Lushkja dhe më pas Kastriot Selmani nuk u treguan të saktë. Pjesa e parë edhe pse u dominua nga të besuarit e Edlir Tetovës u mbyll në barazim pa gola. Fillimi i pjesës së dytë foli sërish për rrogozhinasit, të cilët shpërdoruan disa raste me Bakayoko, duke mos arritur dot t’I konkretizonin me gol.
Në minutën e 74-të, Poçi i afrohet shumë golit, por goditja e tij e fortë ndalet nga traversa. Mundi i rrogozhinasve do të shpërblehej në minutat shtesë, ku gjetën golin me blerjen e re, Ildi Gruda. Shkodrani pasi mori një top të gjatë nga mbrojtja, e dërgoi atë në rrjetë, duke ngritur “peshë” gjithë stadiumin. Egnatia fiton 1-0 dhe shkon me avantazhin e një goli në ndeshjen e kthimit, pas një jave në Islandë.