Derisa miliona më shumë amerikanë vaksinohen çdo ditë, disa janë ankuar për ethe, të dridhura dhe sëmundje të tjera të lehta që nuk i prisnin.
Mos u frikësoni, thonë mjekët. Efektet anësore mund të jenë provë se sistemi i juaj imunitar po funksionon ashtu siç është dashur. (Megjithëse vaksinat janë gjithashtu shumë efektive edhe pa efekte anësore).
Më poshtë janë disa nga efektet anësore më të zakonshme nga vaksinat kundër coronavirusit, raporton CNN.
Cilat janë efektet anësore më të zakonshme?
“Gjërat që ne po i shohim janë dhimbje krahu, dhimbje trupi, nganjëherë lodhje, nganjëherë edhe ethe të ulët”, tha Peter Hotez, një vaksinolog dhe dekan i Shkollës Kombëtare të Mjekësisë Tropikale në “Baylor College of Medicine”.
Pasi mori dozën e tij të dytë të vaksinës Pfizer-BioNTech, ai tha se kishte të dridhura për disa orë.
“Dhe ne e dimë pse ndodh kjo – sepse vaksina është shumë e fuqishme në nxitjen e një përgjigje imune. Kjo është një nga arsyet pse po marrim nivele kaq të larta mbrojtjeje (kundër COVID-19)”, shtoi ai.
Efektet e tjera anësore mund të përfshijnë dhimbje, skuqje ose ënjtje në vendin e injeksionit dhe ndoshta dhimbje koke ose të përziera, tha Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, (CDC).
Burimi: Telegrafi