Luiza Gega është gati për eventin më të madh sportiv në botë, Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Vetëm pak ditë e ndajnë për të prekur ëndrrën e saj. “Rezultatet e mia janë për në finale, flas me bindje të plotë që finalja është e arritshme”, thotë Gega.
Atletja, do të marrë pjesë në 3000 metra me pengesa, në specialitetin e saj ka treguar dhe gjendjen e saj ku thotë se është e motivuar dhe në top formë fizikisht.
Shpreson të jetë brenda pesëshes së parë të Botës, por asgjë nuk arrihet pa mund. Ajo është stërvitur intensivisht në Dardhë e Korçë ku kalon një pjesë të mirë të vitit.
Për “Tokio 2020” është stërvitur edhe në Kenia gjatë dimrit ku qëndroi më shumë se sa e kishte parashikuar për shkak të pandemisë.
Në Rio 2016 nuk pati rezultat të mirë për shkak të dëmtimit që e pengonte. Synimi i saj është finalja e Lojërave Olimpike dhe natyrisht përmirësimi i rekordit kombëtar që aktualisht mbahet prej saj me kohën 9 minuta, 19 sekonda e 93 të qindta.
Luiza Gega konkurron në 3000 metra me pengesa më 1 gusht me finalen më 4 gusht, gjithnjë nëse do të kualifikohet. Ajo është një nga 3 sportistët e Shqipërisë që e ka siguruar pjesëmarrjen në Tokio 2020 me normë.