Dinamo nuk ia ka dalë në gjysmëfinalen e “Final Four”, teksa është eliminuar nga Vllaznia, pas humbjes 2 me 1 në “Arenën Kombëtare”. Të dy golat skuadra shkodrane i shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që në fundin e sfidës, tekniku i bluve, Ilir Daja, nuk është përmbajtur, teksa ka tentuar të konfrontohet me gjyqtarët.
Kanë qenë forcat e sigurisë, ata që kanë shmangur një përplasje të mundshme, teksa nga video e siguruar nga Klikoje Sport, trajneri Daja, shihet teksa ofendon gjyqtarin kryesor Eldorjan Hamiti. Duket se tekniku i Dinamos, ka mbetur totalisht i pakënaqur nga vendimet e lezhjanit dhe ndihmësave të tij.
VLLAZNIA-DINAMO 2-1
Vllaznia siguron finalen e madhe të “Final 4” pas një përballjeje dramatike ndaj Dinamos. Skuadra e Brdaric është bërë finalistja e parë e edicionit 2024/25 në fazën përmbyllëse të kampionatit, të njohur si “Final 4”. Shkodranët siguruan një fitore të rëndësishme 2-1 në “Arenën Kombëtare” përballë Dinamos, duke hedhur një hap të madh drejt titullit kampion.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe ritëm të shpejtë, ku të dyja skuadrat kërkuan që në minutat e para të vendosnin autoritetin e tyre në fushë. Pjesa e parë rezultoi e mbushur me emocione dhe polemika, veçanërisht për shkak të vendimeve të arbitrave. Gjyqtari Enea Jorgji akordoi tre penallti në total, dy prej të cilave në favor të Vllaznisë, të cilat u shndërruan në gol nga sulmuesi Bekim Balaj.
Ndërkohë, një 11-metërsh i dhënë fillimisht për Dinamon u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, çka shkaktoi protesta nga lojtarët dhe stafi teknik i bluve. Falë dy realizimeve të Balajt nga pika e bardhë, kuqeblutë shkuan në pushimin mes pjesëve me epërsi të dyfishtë, duke marrë një avantazh të rëndësishëm psikologjik.
Në fund, ishte Vllaznia ajo që festoi, duke marrë biletën për finalen e madhe të “Final 4”, ku do të ketë mundësinë të luftojë për titullin kampion të Shqipërisë. Dinamos, ndërkohë, i mbetet ngushëllimi i trofeut të Kupës së Shqipërisë, të fituar pak ditë më parë, si dhe kthimi në arenën europiane pas shumë vitesh mungesë.
Comments are closed