Merkatoja nis nga mbrojtja, Dinamo pranë akordit të parë;

Dinamo

Dinamo e ka mbyllur kampionatin e këtij sezoni në vendin e katërt, ashtu si edhe sezonin e shkuar. Sfida e fundit në “Elbasan Arena” ndaj Egnatias, ishte vetëm për statistikë për blutë, të cilët u mundën me rezultatin 2-0 duke qenë kështu përcaktuese në titullin kampion që fituan rrogozhinasit.

Pas ndeshjes së zhvilluar në “Elbasan Arena”, më në fund ka pasur pak frymëmarrje për të besuarit e Dajës duke qenë se skuadrës i është dhënë një pushim 1 javor. Lojtarët pritet të rikthehen në fushë në datën 8 ose 9 qershor, aty ku do edhe do të nisin zyrtarisht përgatitjet për ndeshjet e Europës, ku fillimisht do të ketë grumbullim në Tiranë e më pas, me shumë gjasa ekipi do të largohet për fazë përgatitore, ku gjasat janë që ekipi të akomodohet në Ohër, aty ku ishte edhe vitin e shkuar.

Natyrisht, prioriteti është rinovimi i kontratave të lojtarëve që janë në përfundim të saj dhe këtu bëhet fjalë për lojtarë që bëjnë pjesë në planet e skuadrës. Për të vijuar me këtë projekt, Dinamo e ka nisur nga kapiteni Bruno Dita.  Palët kanë rënë dakord parimisht për rinovimin e kontratës dhe pasi lojtari të kthehet nga pushimet, do të firmoset kontrata e re. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Dinamos sigurojnë një nga lojtarët që ka qenë protagonist absolut për këto vite me fanellën blu, teksa mban edhe shiritin e kapitenit. Për Ditën, ka pasur interesime nga klube të tjera në Superiore, por duket se Dinamo është “shtëpia” e mesfushorit, i cili nën drejtimin e Dajës është kthyer në një qendërmbrojtës dhe ndër më të dalluarit në Superiore, pavarësisht dëmtimeve që e kanë shqetësuar disa herë.

E paqartë është situata me Dejvi Bregun, Naser Alijin dhe Lorenco Vilën. Të tre lojtarët janë në fund të kontratës dhe drejtuesit po tentojnë t’i bindin për të rinovuar. Fakti se ndaj tyre ka oferta nga klube e të tjera, e vështirësojnë pak negociatën megjithatë, drejtuesit e Dinamos janë të bindur se palët janë në rrugën e duhur për të rinovuar.

Related posts

Shpërbehet Lushnja! Pesë lojtarë të larguar, zv.kapiteni njofton: Mbyllet ky kapitull për mua

“Ka pasur shumë bërryla këtë sezon ndaj meje”/ Mesfushori hedh akuza pas triumfit të Egnatias

Egnatia kampione, Duka trazon ujërat: “Final Four mund të hiqet”