Dritan Mehmeti tanimë e ka realizuar objektivin e ngjitjes së Dinamos në Kategorinë Superiore. Që nga 28 shkurti kur u emërua në krye të bluve, Mehmeti ka realizuar shtatë ndeshje me Dinamon në të cilat ka marrë katër fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Në një intervistë për RTSH Dritan Mehmeti ka treguar dhe vështirësitë e detyrës së tij
“Momenti në të cilën mora unë skuadrën ishte në një moment jo të përshtatshëm. Për më tepër që kishte probleme në aspektin fizik, por dhe atë psikologjik. Pasi kisha gati 40 përqind të skuadrës me probleme dëmtimesh, por gjithashtu kishte dhe një ngërç psikologjik, i cili vinte nga rezultate jo të mira. Pra nga katër ndeshje ishte marrë vetëm një pikë dhe normal që nga gjashtë pikë e vendosur përpara e kaluan dy ekipet që ishin pas Skënderbeu e Flamurtari. Pra gjendja nuk ishte e duhur, por megjithatë pikënisja e këtij rrugëtimi nisi që pas humbjes me Apoloninë pas së cilës lojtarët treguan karakter”, thotë Dritan Mehmeti për RTSH Sport.
Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, tashmë e ka konfirmuar stafin teknik të bluve, që përbëhet nga dyshja Mehmeti – Pinari. Për Mehmetin ky është vlerësim për punën e tij
“Normalisht është një vlerësim për të gjithë stafin dhe shpresoj që ne të jemi të vendosur për të bërë një analizë të hollësishme për të vënë pikat mbi “i” për të gjithë komponentët me të cilët duhet të ndërtohet një skuadër. Kjo duke nisur nga gabimet që kemi bërë më përpara. Pra të strukturojmë një skuadër me vlera ashtu sikurse i takon kësaj Dinamoje”, shpjegon Mehmeti