Detaje të reja mësohen për një nga të plagosurit sot në Shkodrër, Erison Gjekën, 24-vjeç. Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije për “BalkanWeb” se ai është nipi i një prej “të fortëve” të Shkodrës, i ekzekutuar vite më parë.
Erison Gjeka është nipi i Gjon Gjekës, 49 vjeçarit të ekzekutuar në 2013 nga dy persona që udhëtonin me motor.
Vrasja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Thive”, në hyrje të Shkodrës, ndërsa policia në vendin e ngjarjes ka mundur të gjejë vetëm viktimën dhe gëzhojat e plumbave. Autorët, që dyshohet se kanë qenë dy persona, kanë ikur me një motor Piagio.
Gjon Gjeka prej rreth dy dekadave njihej në zonën e Shkodrës si “zoti” i Bardhajve. Fshati i njohur për emrat e të “fortëve” dhe pamundësisë së policisë për të ndërhyrë për arrestimin e tyre, që prej 97-ës ishte nën pushtetin e këtij personi, që u ekzekutua me 3 plumba pistolete në 2013.
Gjeka, sipas policisë në kohën e trazirave kishte kryer me dhjetëra grabitje me armë, ndërkohë që, paçka se përflitej edhe për shumë ngjarje të tjera, vijonte të ishte i lirë. Ndonëse kanë kaluar disa vite, vrasja e tij nuk është zbardhur ende, edhe pse dyshohet se mund të ketë ndodhur për shkak të rivalitetit mes të fortëve në Shkodër.