E ftuar në një intervistë televizive, anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Mimoza Hajdarmataj ka folur për primaret e PD-së së Sali Berishës ku u zgjodhën 6 kandidatët për 6 marsin.
Mimoza Hajdarmataj tha se zgjedhjet ishin moralisht dhe ligjërisht të sakta, ndërsa shtoi se lugën e mban peng Lulzim Basha, por kjo është pa rëndësi.
“Berisha është lider historik i PD-së kështu që nuk ka asnjë lloj shkelje asnjëlloj problemi ligjor. Me votën e anëtarësisë është shkarkuar Lulzim Basha. Ka mbaruar koha kur listat dalin në 12 të natës. Ka mbaruar koha kur ato që përfaqësonin listat e nuk përfaqësonin bazën e PD-së. Çdo gjë është moralisht dhe ligjërisht e saktë, përtej atyre që mbajnë peng vulën. U votua nga anëtarësia për primaret dolën 6 kandidatët më të mirë. Gjëja është ligjore. Do presim deri sa do të vonojë gjykata për t’u shprehur”, u shpreh Hajdarmataj.
Nga ana tjetër Hajdarmataj u shpreh se kandidatët për kryetar bashkie do të jenë të përfaqësuar nëpërmjet një koalicioni. Hajdarmataj tha se janë ne negociata me aleatët si dhe me LSI-në.
“Unë besoj se sot është afati i fundit për tu regjistruar, kështu që kandidatët tonë do të jenë të përfaqësuar nëpërmjet një koalicioni me subjekte të tjera. Ka akoma negociata me aleatët, disa janë përfunduar. Edhe LSI- është pjesë e negociatave. Kuptohet se negociatat janë marrëveshje do ta merrni vesh shumë shpejt. S’ka regjistrim si kandidat të pavarur”, tha Hajdarmataj.
Komisioni i Rithemelimit u bë dje i pari nga kampi opozitar që shpalli emrat e kandidatëve të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit. Përmes primareve të Sali Berishës kandidat për bashkinë e Vorës u shpall Lulzim Vrana me profesion ekonomist, në një proces numërimi pa praninë e mediave. Durrësi do të përfaqësohet me urbanistin Ardian Muka, Shkodra me Bardh Spahinë, Dibra do të përfaqësohet nga Premtim Kryemadhi i cili karrierën ia ka dedikuar arsimit. Në Lushnjë do të kandidojë juristi Elton Bano i cili mori 671 vota nga demokratët, ndërsa Rrogozhina nga Hekuran Xhani i cili është mjek veteriner. Arben Ristani paralajmëroi më herët pjesëmarrjen në një koalicion me partitë e tjera opozitare të cilat do të qëndrojnë krah ish-liderit demokrat. PD reagoi menjëherë nëpërmjet një deklarate, ku tha se as Berisha dhe as emrat që kanë fituar s’kanë lidhje me demokratët dhe Partinë Demokratike. Sipas PD Rama bashkë me Berishën po krijojnë një parti që të shkatërrojnë PD-në.