Egnatia i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës, atë me Ararat Jerevan, teksa ka bërë dhe stërvitjen e fundit në stadium. Përpara stërvitjes, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka dalë në konferencë për shtyp, teksa ka bërë të ditur informacionin e tij për kundërshtarin, si dhe lojtarët që sipas tij spikasin tek Ararat Jerevan
“Në këto ndeshjet e fundit e kemi ndjekur kundërshtarin. Kjo dhe për faktin që Ararat ka ndërruar shumë lojtarë në momentet e fundit dhe trajnerin. E ka qenë pak e vështirë për ne për të marrë informacion. Kemi parë dy lojtarë siç është numri 10 që luan në mesfushë dhe sulmuesi Za, të cilët mendoj se bëjnë diferencën. Kemi bërë një analizë të hollësishme të këtyre lojtarëve dhe kemi marrë masat tona”, ka theksuar Tetova.
Për të parin e skuadrës së Egnatias, në fushë do të luhet si të barabartë me Ararat Jerevan, pavarësisht se kjo e fundit ka më tepër përvojë në Kupat e Europës.
“Mendoj që shanset janë 50 me 50. Nuk mendoj se do të luajmë si inferior në ndeshjen e nesërme”, shpjegon Tetova.
Ndërkohë i larguari i radhës është Xhekson, që është bërë pjesë e Instanbulspor dhe turqit nuk e kanë lejuar që të luajë me Egnatian në Europë