Sfida mes Besës dhe Pogradecit u mbyll me barazim 1-1. Në të ndeshjes, trajneri i Pogradecit, Emiljano Çela kishte pretendime për penallti.
Ishte minuta e 94-t, kur lojtari i Pogradecit u rrëzua në zonën e Besës. Gjyqtari Gerard Çokaj e konsideroi çdo gjë të rregullt, ndërsa liqenorët protestuan.Ndeshja në stadiumin “Luz i Vogël” nuk kishte VAR. Skuadrat ndanë kështu nga 1 pikë në sfidën e vlefshme për javën e shtatë të Kategorisë së Parë.
DEKLARATA E ÇELËS
“Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, të gjithë lojtarët arritën limitet e tyre. Mënyra e lojës që kishim zgjedhur ishte duke pranuar limitet e lojtarëve sepse kishim shumë mungesa. Në pankinë kisha djem të rinj. Po patjetër që edhe ato janë lojtarë cilësor dhe të talentuar, por nuk ishte ndeshja e tyre sot sepse ishte ndeshje me dozë shumë të lartë emocionale. U munduam këtë javë që pata mundësi të punoja, të ribëja ekipin nga e para. Sinqerisht nga të gjithë lojtarët jam shumë i kënaqur, për faktin që kapëm limitet tona. Do doja më shumë qarkullim, posedim topi. Kundërshtari kur shkuam 1 me 0 u çekuilibrua. Po të kishim pak durim, mund të kishim kapur shumë situata loje, 4 kundër 3 ose 3 kundër 2. Jam i kënaqur.
Është penallti e pastër. Do na kishte dhënë fitore. Habitem pse gjyqtari nuk e dha atë penallti. Luan dy ekipet më të mira të kësaj kategorie, pavarësisht pozicionit ku janë, nuk ka VAR. Patjetër që duhet të kishte, ishte penallti që na hoqi fitoren. Duhet të jesh shumë i mërzitur, loja e futbollit është emocionale. Është vendim i gabuar i gjyqtarit, që ne nuk marrim 3 pikë sot.