Besa këtë sezon nuk arriti dot Kategorinë Superiore, një objektiv që kavajasit e kërkuan me shumë dëshirë dhe investime, por në fund u mposhtën nga Pogradeci në finalen e “Play-Offit”. Tashmë nuk dihet sesi do të vijojë e ardhmja e klubit kavajas, nëse një pjesë e madhe e titullarëve do të vijojnë të jenë pjesë e skuadrës. Në orët e fundit, Bedri Greca ka deklaruar se nuk do të jetë më futbollist i Besës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
34-vjeçari falenderon Besën për mundësinë e dhënë, ndërsa u uron sukses në vazhdim. Aventura e futbollistit kryeqytetas në Kavajë ka zgjatur vetëm 6 muaj, teksa në janar të këtij viti veshi fanellën e ekipit të besës. Me kavajasit ka luajtur në 18 ndeshje, ku ka mundur të shënojë 3 gola. Ndërkohë tashmë do të jetë një futbollist i lirë në treg.
KULI DHE ÇELA VIJOJNË TE BESA
Presidenti Nexhat Bizhdili ua njeh vlerat, ndaj dyshja Çela-Kuli firmosën kontratë me afat 18 muaj, kur morën frenat e kavajasve. Thënë ndryshe, ky sezon do të nisë nën drejtimin e kësaj dysheje, që me fazën përgatitore. Trajnerit Emiljano Çela do t’i duhet shumë punë, pasi tani nuk ka më justifikime, se gjithçka do të krijohet sipas ideve dhe filozofisë së tij. Pra, tani është koha që të ndërtohet Besa e Çelës, pasi në janar ai e gjeti skuadrën e bërë.
LEXO ME SHUME:Skënder Gega i qartë në merkato, piketon ish-lojtarin e Vllaznisë për krahun e djathtë të mbrojtjes