Impianti “Inca” i përpunimit të mbetjeve shtazore në periferi të Lezhës ka krijuar problem të rënda për banorët e lagjes ish-ushqimore, pasi nuk i respekton kushtet mjedisore dhe mbetjet derdhen në Drin.
Pavarësisht se u përurua me bujë nga ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, sot, as ministri dhe as kryeministri Edi Rama nuk denjojnë as t’i kthejnë përgjigje peticionit të banorëve për një situatë që është kthyer në makth: era e rëndë e kafshëve të dekompozuara mbush ajrin, mbetjet derdhen në lumin Drin.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në krah të banorëve të shqetësuar dhe ngritur në protestë. Në një mesazh në fb, Berisha akuzon qeveritarët se po mbushin xhepat në një kohë që populli proteston: “Impianti i djegies së coftinave qelb Lezhën. Populli proteston, narkozyrtarët mbushin xhepat. Lexoni mesazhin, shikoni videon e denoncimit të qytetarit dixhital” tërheq vëmendjen Berisha.
Mesazhi qytetarit: “Unë kam punuar 20 e sa vjet në Evropë për të ndërtuar një shtëpi dhe tani na kanë hapur një fabrikë për djegien e kafshëve të ngordhura dhe vendi është kthyer nga lagje e preferuar në lagje qelbësirë dhe e pabanueshme. Je i vetmi person që kam shpresë se do ta publikosh problemin tonë.
Por, çfarë premtoi ministri Çuçi ditën e përurimit të Inca?
“Është një investim që krijon një vlerë pothuajse nga hiçi, – tha Çuçi, – nga të gjithë mbetjet që vijnë nga bota shtazore, përfshi edhe peshkun, kafshët e sëmura, pula të skarcitetit dhe gjithë mbeturinat e botës shtazore. Gjithçka tjetër që do të vijë në këtë impiant, do të përpunohet dhe pasurohet me proteina, për të dalë më pas ushqim për kafshët. Jo thjesht që krijon vlerë nga hiçi apo nga mbetjet, por kemi të bëjmë edhe me një investim shumë miqësor me ambientin.
Gjithë ajo problematikë që kemi në Shqipëri me groposjen e kafshëve të sëmura, do të marrë fund njëherë e mirë sepse do të grumbullohet në këtë fabrikë, e cila më pas do t’i japë një vlerë tjetër”, premtoi ai.