Bekim Balaj shënoi golin e vetëm të Vllaznisë, që barazoi dje 1 me 1 ndaj Elbasanit. Ishte minuta e 61-të, kur trajneri Brdariç vendosi të zëvendësonte kapitenin. Ky moment solli irritim në shkallët e stadiumit. Balaj po largohej nga fusha e blertë dhe ndërkohë pasuan sharje në kor nga tifozët verdheblu.
Vllaznia po fitonte ndërkohë 0 me 1. Elbasani barazoi më pas dhe ndau pikët me Vllazninë në një rezultat që kënaq të dyja palët.
Në “Elbasan Arena”, Elbasani dhe Vllaznia ndanë nga një pikë në një ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-1, por që në fund u konsiderua pozitive për të dyja palët. Edhe pse ishin vendasit që dominuan më shumë në aspektin territorial, ishte skuadra shkodrane që kaloi e para në avantazh me golin e Bekim Balajt në fillim të pjesës së dytë. Elbasani reagoi shpejt dhe barazoi shifrat me Gjonin, duke siguruar një pikë të rëndësishme. Në minutat e fundit, të dy skuadrat preferuan të administronin rezultatin, në pritje edhe të rezultateve nga ndeshjet e tjera. Ky barazim i ngjit verdheblutë në vendin e katërt dhe i çon shkodranët në vendin e dytë, duke i afruar më shumë me arritjen e objektivave sezonalë.