Kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj, është shfaqur sot para mediave për konferencën në prag të ndeshjes me Flamurtarin. Lideri i kuqebluve këtë radhë nuk ka ngurruar të sulmojë ambientin që është krijuar rreth ekipit shkodran, duke insistuar se po fryhet shumë fjala krizë.
“Sigurisht jemi të vetëdijshëm që vijmë në këtë ndeshje jo në momentin tonë më të mirë të mundshëm. Realisht kemi të nevojshme pikët, si është gjendja normalisht, duhet të shohim ndeshjen e radhës që është me Flamurtarin në Shkodër dhe duhet të synojmë tre pikët, kështu që për situatën që jemi, do të na ndihmonte goxha.
Unë mendoj që në këtë moment në Shkodër shtohen si specialistët e futbollit, si analistët e futbollit dhe sigurisht që reflekton një frymë jo pozitive. Mendoj që hallet dhe problemet tona duhet t’i mbajmë këtu, të jemi afër njëri-tjetrit në këto momente që zgjidhjen ta gjejmë dhe t’i shërbejë skuadrës për vazhdimësinë dhe jo deri diku ta zhysim apo të ngutemi e ta çojmë Vllazninë në krizë.
Ndoshta edhe duke mos qenë një situatë që ka qenë për krizë, pasi krizën po e dëgjojmë prej shumë javësh, ndërkohë që Vllaznia me Elbasanin luajti për vendin e parë. Krizën po e dëgjojmë prej javësh, një javë më parë ishim në pikë të barabarta me Dinamon dhe në gjitha mediat flitet që Dinamo është për kampion dhe Vllaznia është në krizë. Prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë moment dhe suportin ndaj skuadrës ta tregojmë edhe më shumë. Si në media, ashtu edhe në rrjetet sociale, sepse ka shumë që punojnë, ka shumë që punën e nisin kur Vllaznia është në krizë dhe në siklet. ” Ishte deklarata e Bekim Balaj-t.