Prangosja dhe hetimi i nisur për ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal i cili është bashkëpunëtor i Rusisë, ka bërë që Gazment Bardhi i PD-së të kallëzojë në SPAK, Edi Ramën. Kjo pasi PD-ja akuzon se kryeministri Edi Rama nëpërmjet Agron Nezës, i ka dorëzuar Charles McGonigal 225 mijë dollarë.
”Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA. SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë dosjen në SHBA”, shkruan Bardhi në reagimin e tij në Facebook.
Postim i plotë
Miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista. Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.
Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politikë është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikanë të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politikë.
Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:
1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;
2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;
3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal.
SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.