Policia e Durrësit ka goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, duke sekuestruar një armë zjarri dhe municion luftarak.
Në pranga ka rënë 51-vjeçari D. R., ndërsa gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur 1 armë zjarri automatik, 4 krehra dhe 70 fishekë.
Njoftimi i policisë:
Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që disponojnë armë zjarri në banesë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në një banesë në lagjen nr. 16, Durrës dhe si rezultat kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi D. R., 51 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 4 krehra dhe 70 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të shtetasit D. R. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.