Asllani e nisi titullar sfidën kundër Venezias, në të cilën Interi fitoi me shifrat 0-1 me golin e Darmian. Mesfushori i Kombëtares luajti për 63 minuta ku më pas i la vendin Davide Fratesit. Pas kësaj fitoreje të zikaltërve, mesfushori i kombëtares sonë ka folur për mediat.
“Falënderoj Inzagin sepse nuk ishte e lehtë të kthehesha në fushë titullar pas gjithçkaje që më thanë gjatë javës. Edhe unë nuk isha i sigurt për veten time, të them të drejtën, nuk ishte e lehtë për trajnerin. Edhe unë lexoj, kam edhe prindër që më thonë ‘shiko çfarë kanë shkruar për ty’ duhet të vazhdoj të punoj.
Kam dalë fare nga rrjetet sociale pas asaj ndeshje me Milanin, më duhej të largohesha, u teprua”, deklaroi Asllani pas sfidës.
VENEZIA-INTER 0-1
Në ndeshjen e javës së 20-të të Serisë A, një fitore e rëndësishme për Interin që triumfoi me rezultatin 1-0 në fushën e Venezias dhe i bën presion Napolit falë suksesit të gjashtë radhazi jashtë shtëpisë.
Në fushën e lojës në këtë sfidë ishte i pranishëm edhe mesfushori kuqezi, Kristjan Asllani, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 63-të nga Frattesi.
Pas paraqitjes së shurdhër ndaj Milanit, regjisori kuqezi tregon veten. Është edhe dora e tij, me gjuajtjen milimetrike për Lautaron, në rastin e golit të Darmian.