Zbardhet identiteti i pastrueses që akuzohet se ka vjedhur në një banesë ku punonte. Ngjarja është regjistruar në lagjen rrugën “Vaso Pasha” dhe bëhet fjalë për shtetasen Elida Kodra.
Kujtojmë se ky arrestim vjen pas ngjarjes së bujshme që ndodhi në Tiranë, ku pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj ranë pas hekurave nën akuzën se vodhën një shumë të madhe parash në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi.
Njoftimi
Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese. Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë. Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj.
Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.