Elbasani e ka kaluar me sukses një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit: ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe arritjen e mbijetesës në vitin e saj të parë. Por, tani nis beteja më e vështirë, ndërtimi i një skuadre që të jetë jo vetëm konkurruese, por pretendente për objektiva të mëdha. Megjithatë për momentin në klubin verdheblu ka patur largime të shumta dhe i fundit është Amarildo Gjoni. Sulmuesi qendron për një sezon te klubi verdheblu.
Amarildo Gjoni preferohej si zëvendësues nga Gvozdenoviç. 25-vjeçari shënoi vetëm një gol në kampionat, që ishte edhe më i rëndësishmi i sezonit.
Elbasani luajti kundër Vllaznisë në javën e parafundit, dhe shkodranët po fitonin 0 me 1. Gjoni u aktivizua nga stoli dhe barazoi ndeshjen.
Ajo pikë ngjiti Elbasanin në vendin e katërt, që më pas u rifitua nga Partizani. Këto të fundit siguruan Europën përmes fitores në javën e fundit.
ZYRTARIZIMET, MUNGESA MË E MADHE – Të gjithë në qytet flasin për ndërtimin e një skuadre të fortë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë firmë zyrtare. Drejtuesit e klubit mbeten të rezervuar dhe shpjegojnë se po punohet me kujdes për të bërë përforcime me cilësi, jo me sasi. Por mungesa e zyrtarizimeve po fillon të ngjallë shqetësim, sepse lojtarët e mirë janë me pikatore. Klubi e ka të qartë se koha nuk është në anën e tyre. Sezoni i ri afrohet me shpejtësi dhe çdo ditë pa lëvizje konkrete është një pengesë më shumë për ndërtimin e një grupi të konsoliduar.