Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua sot festivali i futbollit si pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e veçantë të Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Gjithashtu, në ceremoninë hapëse morën pjesë edhe ambasadorët e UEFA-s Luís Figo dhe Aljoša Asanović, ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka, ish-lojtarë dhe personalitete vendase, djem dhe vajza nga shkollat lokale dhe prindër, duke krijuar një atmosferë festive në “Shtëpinë e Futbollit”.
Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin foli për mediat shqiptare që mbuluan këtë aktivitet shumë të rëndësishëm në prag të mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.
Përsa i përket projekteve të reja ju duhet të flisni me kreun e Federatës shqiptare të Futbollit, por infrastruktura juaj dhe veçanërisht, stadiumi Kombëtar është shumë i bukur. Mund të organizojmë diçka këtu, por nuk kemi gjë konkrete. Futbolli dhe sporti i bashkon njerëzit, jo i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë të gjithë idiotët që e përdorin futbollin për ideologjinë e tyre absurd, kudo, jo vetëm në një vend por në të gjitha shtetet, sepse këta njerëz nuk e duan futbollin, por vetëm e shfrytëzojnë këtë për të përhapur idetë e tyre të kota.