Alban Shabani nuk do të jetë më pjesë e ekipit të Laçit pas rënies nga Superiores. Mesfushori dhe klubi kurbinas kanë vendousr të mbyllin bashkëpunimin mes tyre pas 6 muajsh. Shabani u bashkua me Laçin në janar të këtij viti, por rënia nga elita, ka bërë që mesfushori të largohet. Ai firmosi kontratë 2-vjeçare në janar, por tashmë marrëveshja është prishur.
Kujtojmë se më para, 25-vjeçari nga Podujeva ka luajtur me Llapin, Skënderbeun, Feronikelin dhe Drenicën. Pra, aventura e tij me Laçin ishte e dyta në Shqipëri. Ndërkohë që është vetë mesfushori që ka njoftuar largimin nga Laçi me anë të një njoftimi në rrjetet sociale.
Njoftimi i Alban Shabanit:
Faleminderit KF Laçi
Falenderoj nga zemra klubin KF Laçi, presidentin Pashk Laska për mirëkuptim dhe korrektësi, trajnerin Moriero për besimin dhe mundësinë e dhënë si dhe gjithë ekipin dhe tifozët për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Ishte kënaqësi të isha pjesë e këtij klubi.
Ju uroj suksese në të ardhmen, ishte postimi i Alban Shabani-t.
Prej një muaji te Laçi lajm përbën vetëm largimi i futbollistëve, të cilët nuk arritën që të shmangnin zbritjen e kurbinasve në Kategorinë e Parë. Samuel Opeh, Ulliam Melo Kordeiro, Kristian da Lima, Paulo Zhunior, Ilir Dobjani, Leo Ballhysa dhe Indrit Prodani janë futbollistët që janë larguar zyrtarisht deri në këto momente nga klubi laçian. Por lista e të larguarve pritet të jetë edhe më e zgjeruar, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë lojtari që është nën kontratë me Laçin.