Gazetari Mentor Kikia tha në një intervistë televizive se lëvizjet dhe balancat politike nuk duhet të vendosë nëse do t’i prishë apo do t’i ndreqë drejtësia. Sipas tij, drejtësia duhet të funksionojë si gardiane e ligjit dhe kush abuzon me financat publike duhet të shkojë të përgjigjet para drejtësisë.
“Në kushtet kur ne kemi dështuar që demokracinë reale ta vendosim me votë, në kushtet kur ne kemi të pamundur të zëvendësojmë qeveritë e korruptuara përmes votës, dëshpërimisht kemi hedhur sytë, fillimisht nga ndërkombëtarët. Në fakt ata nuk ndërhynë. Tani ne shpresojmë që tani të jetë SPAK-u ai që do të bëjë një listë dhe do të mbledhë ca njerëz, t’i çojë në burg dhe atëherë ne do të themi që shpëtuam nga kjo kastë e vjetër. Në fakt diçka e tillë është eksperimentuar në Rumani ku strukturat e drejtësisë së re, të ngritura me të njëjtën metodologji siç u ngritën në reformën në drejtësi në Shqipëri, fillimisht vendosën të bëjnë një spastrim politik duke hartuar një listë me njerëzit që duhet të arrestoheshin dhe më pas të gjenin provat. Nuk funksionoi dhe nuk besoj që do të funksionojë as këtu,” – u shpreh Kikia.