Detajet shpeshherë bëjnë diferencën dhe jo vetëm në fushën e lojës. Është pikërisht kurimi i tyre në radhët e sportistëve të sotëm që ndajnë shpesh një futbollist normal nga kampionët apo edhe jashtëtokësorët e sportit më të bukur në botë.
Dhe kur bëhet fjalë për faktin e regjimit të një kampioni si Kristiano Ronaldo, pa dyshim që vëmendja bëhet shumë e madhe për të gjithë ata futbollistë të rinj të cilët aspirojnë që një ditë të ecin në gjurmët e yllit portugez të Juventusit, i cili edhe pse 35-vjeçar sot, vazhdon që të jetë në majë dhe çdo sezon është në kërkim të rekordeve të reja. Shpesh Ronaldon e kanë konsideruar edhe si një robot, jo vetëm brenda, por edhe jashtë fushës.
E ndoshta pikërisht trajtimi që ai i bën trupit të vet në jetën e përditshme është edhe ajo që i ka dhënë këtë jetëgjatësi dhe këtë rendiment iberikasit. Por çfarë e bën regjimin e një futbollisti ideal?
Në rastin e Kristiano Ronaldos, të ushqyerit dhe gjumi. Pikërisht kështu, nga tavolina e deri te relaksimi mes stërvitjeve të shumta, Nik Litërllhejls zbulon se CR7 konsumon 6 vakte në ditë, por në të njëjtën kohë bën edhe 5-6 seanca dremitjeje, përpara gjumit të mbrëmjes, ku edhe ky nuk duhet të jetë me orë të gjata. Dhe duke përmbushur këto rregulla, Ronaldo, edhe pse me jo pak vite mbi shpatulla, ka një strukturë trupore dhe reaktive në fushë, prej një 20-vjeçari.
MENYJA E FENOMENIT – Të ushqyerit sot ecën paralelisht me të stërviturit, duke qenë se muskujt kanë nevojë të ushqehen dhe Ronaldo e ka ndarë të ngrënit me 6 seanca. Mëngjesi është me bazë proshutash, djathërash dhe jogurti.
Ndërkohë, pak orë më pas një tost me avokado mjafton për të pritur drekën, e cila është e ndarë gjithashtu me dy pjesë: vakti i parë është një bazë yndyrash dhe proteinash, përgjithësisht fileto pule dhe sallatë, ndërsa një pjatë e dytë pak minuta më vonë mund të jetë me bazë peshku (më së shumti ton), vezë dhe ullinj. Ndërkohë, edhe pasditja mund të jetë një tjetër tost, ndërsa darka mund të jetë e bollshme, me meny peshku (merluci këshillohet më së shumti) ose bazë mishi.
DREMITJET SA NJË NDESHJE FUTBOLLI – Por teksa konsumon një sasi të rëndësishme ushqimi, ndonëse duke parë fizikun dhe stërvitjet që bën shpesh ylli i Juventusit, mes tyre nevojitet edhe një relaksim, të cilin Ronaldo e merr falë 5-6 seancave dremitje gjatë ditës, prej 90 minutash secila (sa zgjat një ndeshje futbolli), pas të cilave ai karikon më së miri “bateritë”.
“Nuk bëhet fjalë për disa dremitje si ato që bëjnë të moshuarit përpara televizorit, por është një regjim i kërkuar dhe i detyruar nga vetë futbollisti”, u shpreh Nik Litërllhejls për “Football Whispers”, eksperti me të cilin Kristiano Ronaldo ka bashkëpunuar për një periudhë shumë të gjatë kohe dhe, me sa duket, ka dhënë rezultate fantastike.
REKORDI I KASIJASIT – Që Ronaldo është një makineri, kjo dihet tashmë, aq sa edhe në rastin me infektim nga Koronavirusi ai nuk pati asnjë simptomë, përkundrazi vazhdoi të stërvitej në shtëpi normalisht, ndonëse tamponi rezultoi negativ pas 18 ditësh. Gjithsesi, tashmë që juventini është rikthyer, kërkon të rikuperojë periudhën e humbur dhe kërkon tëvazhdojë të shënojë, madje debutimi i tij ndaj Specias dhuroi 2 gola personalë.
Ndërkohë, kundër Ferencvaroshit Ronaldo bëri debutimin e tij sezonal, i cili përkon me sezonin e 18-të radhazi që luzitani merr pjesë në Ligën e Kampioneve. Në historinë e këtij kompeticioni, vetëm Iker Kasijas ka zbritur në fushë më shumë vite radhazi sesa CR7, konkretisht 20 (nga sezoni 1999- 2000 deri në 2018-2019). Por, duke parë formën që ende sot Kristiano Ronaldo tregon, pa dyshim që të paktën edhe dy vite të tjera në fushën e lojës nuk ia ndalon askush…
Burimi: PANORAMASPORT.AL