47 kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme në territorin nën administrim të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, janë zbuluar dhe çmontuar nga Policia. Për disa prej tyre janë zbuluar autorët, ndërsa vazhdojnë hetimet për të tjerët.
Gjatë fazës së katërt të këtij plani operacional, në Durrës, në lagjet nr. 6 dhe nr. 17, janë çmontuar 11 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit Dejvid Karaboja dhe Plarent Dervishaj (aktualisht i shpallur në kërkim për një vepër tjetër penale).
Plarent Dervishaj ndodhet në Dubai dhe nuk mund të ekstradohet në Shqipëri, për shkak të mungesës së një marrëveshje mes dy vendeve. Ndërkohë, Policia e Durrësit ka zbuluar se disa prej kamerave të çmontuara i përkisnin atij, pra kontrolloheshin nga Dubai.
Plani operacional i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vijuar dhe në Shijak. Nga kontrolli i ushtruar në qendrat urbane të kësaj bashkie, u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit Jasin Kala (Avdyli), Astrit Balliu (Avdyli), Altin Avdyli, Xhulio Vora, Albert Muharremi (Vëllai Rrumit të Shijakut) dhe Sajmir Gjepali. Disa prej këtyre personave kanë precedentë penalë dhe janë mbajtur në burg për vepra të rënda.
Gjithashtu, plani operacional “Fijet” ka vijuar në Krujë dhe në Nikël, ku janë çmontuar dhe sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës dhe në Nikël. Vijon intensivisht puna hetimore, për identifikimin dhe procedimin penal, të shtetasve që kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme, këto kamera.