Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup fëmijësh mbollën pemën e një miliontë në Parkun e Liqenit Artificial. Një ngjarje e rëndësishme për qytetin, por sidomos për ambicien e Bashkisë së Tiranës për të mbjellë 2 milion pemë deri në vitin 2030.
Veliaj u shpreh shumë entuziast për këtë arritje, por shtoi se misioni vazhdon. “Kemi numëruar çdo pemë të mbjellë. Nuk e di a e mbani mend, kush ka qenë në Tiranë para 7-8 vitesh, kjo hapësirë ishte e gjitha një landfill i madh, ku digjej plastikë. Vetëm këtu ka pasur 100 struktura pa leje, kurse sot është dyfishuar hapësira e Parkut të Liqenit. Në 2015 thamë se do të mbjellim 2 milionë pemë deri në 2030 dhe jemi vetëm në gjysmë të këtij misioni të jashtëzakonshëm”,-u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se sot kemi 84 kënde lojrash, në secilën prej lagjeve të Tiranës, dhe një pjesë e madhe e mbjelljeve është bërë aty. Ai dha gjithashtu një tjetër lajm, atë të hapjes muajin e ardhshëm të Parkut të Farkës.
“Sot mund të themi se Tiranës do t’i japim një mushkëri të dytë. Muajin tjetër do të hapim zyrtarisht Parkun e Liqenit të Farkës. Është më i madh, ka një pistë më të gjatë dhe do të shërbejë si një valvul shkarkimi edhe për Liqenin e Tiranës, që mbingarkohet disa herë. Për të gjithë zonën e Njësisë 1, Njësisë 2, zonën e Farkës dhe Dajtit, Parku i ri i Farkës do të jetë një valvul shkarkimi dhe më në fund Tirana do i ketë të dyja pulmonet”, u shpreh ai.