Luan Jaha është një tjetër emër mjaft i njohur i kinematografisë dhe teatrit.
“Në kuadër të dashurisë” është duke mbledhur emrat më në zë të skenës dhe mesa shohim, kasti është i mahnitshëm… Luan Jaha jo vetëm që do të jetë pjesë e filmit, por ka dhe një rol mjaft të rëndësishëm… Jua shtuam mjaftueshëm kuriozitetin?
Luan Jaha lindi në Prishtinë më 11 Tetor 1967. Ai është një aktor i njohur shqiptar nga Kosova. Studimet e larta i ka vazhduar në Fakultetin e Arteve, dega e Artit Dramatik, në vitin 1994 në Prishtinë. Ka luajtur në rreth 50 shfaqje teatri, i cili dallohet me shfaqjen “Duke pritur Godonë” të Samuel Bekett, me të cilën mori çmimin special të jurisë në Sarajevë më 1997. Ndër shfaqet e tij më të njohura janë: “Karrigat”, “Armiku i popullit”, “Hamleti”, “Fluturimi në folën e qyqës”,”Tregtari I Venediktit”,”I Ligu Për Mend”.
Aktori mori pjesë në shumë filma, TV drama dhe seriale, ku mund të veçohet “Kosova 9.11.”, që u shpall filmi më i mirë në festivalin ndërkombëtar “Tirana 2003”. “Kukumi”, ku ai ka luajtuar, është cilësuar si filmi më i mirë shqiptar në vitin 2006. Madje edhe “Koha e kometës”, ku ai lunate gjithashtu u cilësua si më i miri në vitin 2008. Disa filma të tjerë ku ai bën pjesë janë: “Der Albaner” (2009), “Falja e Gjakut” (2009), “Dhoma 304” (2010), “Tri dritare dhe një varje” (2013), “Sworn Virgine” (2014). Momenti kyç i karrierës së tij ishte pjesëmarrja në serialin “Familja moderne”, ku interpreton Dajën Skënder.
Por surprizat nuk kanë fund në këtë film. Një tjetër emër mjaft i njohur bëhet pjesë e kastit të “Në kuadër të dashurisë”. Bëhet fjalë për aktorin e talentuar e mjaft të njohur Ylber Bardhi. Se çfarë roli do ketë ai, e si do të jetë lidhja e tij me protagonistët, do të na duhet të presim dhe pak për ta zbuluar…
Ylber Bardhi është një aktor shumë i suksesshëm nga Gjakova, i cili ka lindur më 18 nëntor të vitit 1984. Kur ishte në shkollën e mesme, ai ka marrë pjesë rastësisht në një shfaqje kulturore dhe aty u përzgjodh si aktori më i mirë i gjimnazeve në Gjakovë. Ajo shfaqje mori pjesë edhe në Teatrin Amator në Ferizaj, ku edhe aty u shpall si aktori më i mirë.
Pas kësaj eksperience, ai luajti edhe dy role të vogla në teatrin e vendlindjes së tij. Këto suksese nuk do të kishin vazhduar, nëse aktori do kishte zgjedhur opsionin e tij të parë për tu bërë stomatolog. Por duke qenë se e pa veten mjaft mirë në fushën e aktrimit, vendosi t’i vazhdonte studimet e larta në këtë fushë. Në vitin e dytë akademik, ai kishte fatin të ishte pjesë e një shfaqjeje në Teatrin Kombëtar, një sukses mjaft i madh për një student. Talenti i tij bëri që ai të spikatej nga shumë figura të njohura të botës së aktrimit, të cilët më pas i dhanë edhe role të tjera në teatër.
Pas shfaqjeve teatrale, ai filloi dalëngadalë të bëhej pjesë e projekteve televizive. Suksesi i tij nisi me serialin “Familja Moderne” ku përmes humorit dhe satirës paraqiti gjendjen e Kosovës pas luftës dhe pati një kohëzgjatje nga viti 2001 deri në Maj të 2011-ës. Një serial tjetër mjaft i rëndësishëm për karrierën e tij ka qenë edhe “O sa mirë”, ku me rolin e tij si Zuka, kamarier në kafenenë e shkollës, ka bërë mijëra shqiptarë anembanë të qeshin me batutat e tij.
Përveç seriale televizive, Ylber Bardhi ka marrë pjesë edhe në filma të ndryshëm si: “Zonjusha” (2016), “Fatalist” (2016), “Diamanti” (2018), “Schauerfilm” (2019), “Illyricvm” (2022), “Adnan Kafazi” (2023). Një çmim i rëndësishëm me të cilin ai është vlerësuar ka qenë ai çmimi “Aktori më i mirë” me shfaqjen “Holly Shit” në Festivalin e Teatrit “Othello” në Gostivar në vitin 2018. Ylberin mund ta shihni edhe në shfaqje teatrale pasi ai është pjesëtar i ansamblit të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës.