Vëllai i Pëllumb Metës ka akuzuar para kamerave kunatën e tij, Blerina Metën, si autore të vrasjes së vëllait të tij.
Ramazan Meta është shprehur se Blerina Meta është një kriminele që ka nxitur dhunë dhe sherr në familje. Ai shtoi se fëmijët nuk mund të vrisnin babain e tyre, por gjithçka e ka bërë Blerina Meta.
“Ashtu i ka brumosur gjithmonë fëmijët ajo. Dilni ju gazetarë në gjithë Qarkun e Durrësit dhe pyesni si është sjellë ai bir nëne. Kishte takat ajo kriminele ta bënte atë punë. Vëllai im paska jetuar mes kriminelëve. Ai i shkreti punonte ditë e natë për ta, derdhte djersë. Unë i kam pasur raportet shumë të mira me vëllain. Strumbullari i kësaj ngjarjeje është gruaja. Ata bënë ate ngjarje makabër, fëmijët mund të thonë çfarë të duan. Besoj se vëllai im është vrarë nga gruaja. Vëllai im nuk ka qenë i dhunshëm”, u shpreh ai.
Raportohet se policia ka sekuestruar pamje filmike, ndërsa ekspertiza ligjore ka dalë në rezultatin se personi që e ka qëlluar është 1.75 cm i gjatë. Nga autopisa ka rezultuar se viktima është vrarë me tre plumba.
Hetuesit nuk përjashtojnë edhe mundësinë se autorja e krimit mund të ketë qenë bashkëshortja, Blerina Meta, prandaj janë kryer përgjime. Por ende nuk është prerë urdhër-arrest ndaj saj.
Më 26 janar, Gjykata e Durrësit la në burg 3 fëmijët e Pëllumb Metës, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta nën akuzën e vrasjes së babait të tyre.
Hygerta dëshmoi në gjykatë se kishte qenë ajo që qëlloi babain me armë zjarri duke pretenduar se viktima e kishte kërcënuar shpesh se do ta vriste. Dëshmitë e fëmijëve janë kontradiktore. Hetimet vijojnë.