“Do ta provojmë sërish”, Brdaric pas humbjes në finalen ndaj Egnatias: Fitoi eksperienca, nuk mundëm ta interpretonim lojën tonë

by KLIKOJE.AL

Vllaznia u mposht sonte në finale ndaj Egnatias me rezultatin e thellë 4-0. Në përfundimin e takimit, trajneri i shkodranëve Thomas Brdaric doli në prononcim për mediat.

“Dua të falenderoj të gjithë tifozët e pranishëm për suportin e mrekullueshëm që kanë bërë sot në stadium. Objektivi ishte të rikthenim titullin, futbolli në disa raste është shumë i bukur, por në disa raste shumë i dhimbshëm. Skuadra kampione e sezonit të kaluar dua t’i uroj për triumfin.

Në fund eksperienca fitoi këtë ndeshje. Normal do ta provojmë përsëri, sot patëm shansin më të madh të dërgonim titullin në Shkodër pas dy dekadash. Normalisht jemi të mërzitur, ishte një sezon i vështirë, por duhet të reagojmë sa më shpejt. Kemi pësuar gola të thjeshtë, të parin dhe të dytin që ndikojnë psikologjikisht. Nuk kishim mundësi të interpretonim lojën tonë.

EGNATIA-VLLAZNIA 4-0

Egnatia ka shkruar një tjetër kapitull në historinë e futbollit shqiptar, duke fituar titullin e dytë kampion, falë fitores 4-0 kundër Vllaznisë në Arenën Kombëtare në Tiranë me dy gola nga Lushkja dhe një nga zëvendësuesi i tij Melo dhe një nga Ujka. Skuadra rrogozhinase konfirmohet si më e mira e tre viteve të fundit në Shqipëri, me dy tituj kampionë, dy Kupa dhe një Superkupë.

Superioriteti i Egnatias ishte i qartë që nga fillimi dhe goli i avantazhit erdhi shumë shpejt. Në minutën e 6-të, Bakayoko shkon në fundore dhe pason te Lushkja që gjuan dhe mposht Jukajn. Shkodranët iu afruan menjëherë barazimit, me një goditje të lirë të shkëlqyer nga Balaj, por topi u përplas në vendin ku bashkohen shtyllat e portës së Dajsinanit.

Dy minuta më pas, Stojanoviç bën një kthim të rrezikshëm të topit dhe Jukaj zgjidh situatën, megjithatë Vllaznia duket e tronditur dhe Egnatia dominon mesfushën, pa i lënë kuqeblutë të dalin në lojën e tyre. Vetëm në minutën e 29-të është Qato që gjuan nga e majta, pa gjetur kuadratin. Në të 34-tën, Vllaznia kërkon penallti, për goditje të Malës në zonë, por Marciniak i bën të ditur lojtarit shkodran që nuk ishte penallti, edhe pse pamjet tregojnë prekje të gjurit me taka. Më pas, është Lushkja që në hyrje të zonës gjuan mbi tra.

Nisja e pjesës së dytë është fotokopje e së parës, me një tjetër gol të shpejtë. Kasa del në aksion nga e djathta, pason te Ujka dhe ky nga fundorja jep një krosim të ulët për Lushkjen që gjuan saktë me kokë dhe 2-0. Goli i pestë i Lushkjes në këtë sezon kundër Vllaznisë, duke e pasur gjahun e preferuar. Është minuta e 49-të, dhe Egnatia duket e sigurt në rrugën e titullit.

Shkodranët duan minuta të tëra të marrin veten dhe vetëm në 20 të fundit kuptojnë se nuk kanë asgjë për të humbur. Përpiqet Mensah të bëjë diçka, por në dy raste, në minutat 69’ e 75’ ndalet nga Dajsinani. Në minutën e 82-të, as shkodrani më optimist nuk mund të ketë më iluzione, teksa Egnatia shënon edhe te tretin, me Melon, që zëvendësoi Lushkjen.

Minutat e mbetura janë vetëm formalitet, por para se polaku Marciniak të vërshellejë fundin, vjen edhe goli i katërt, pas një kundërsulmi nga e majta, me anë të Ujkës. Një fitore e merituar e djemve të Eldir Tetovës, përballë një kundërshtari që nuk dha asgjë, shumë larg traditës dhe pretendimeve.

LEXO ME SHUMEl:LIVE/ Lushkja “hesht” Vllazninë, Egnatia kalon në avantazh (video)

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Comments are closed

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.