Vllaznia prej javësh tashmë vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen në Conference League dhe për sezonin e ri. Shkodranët janë një nga skuadrat më aktive në merkato, ku deri më tani kanë zyrtarizuar disa afrime, pork a patur edhe largime të rëndësishme.
Gjithashtu disa prej futbollistëve kanë qenë pjesë në listën e të larguarve, por duket se 2 prej tyre ia kanë dalë të bindin Edi Martinin. Bëhet fjalë për Melos Bajramin dhe Alfred Mensah.
Me shumë gjasa si mbrojtësi ashtu edhe sulmuesi do të vazhdojnë qëndrimin në Shkodër, ku do të provojnë shanset e tyre në sezonin e ri. Por pavarësisht konfirmimit të tyre, te Vllaznia priten që të ketë sërish lëvizje në hyrje-dalje, në mënyrë që të përforcohet ekipi për sezonin e ri.
ZYRTARIZIMI I DY MIQËSOREVE
Vllaznia ka zyrtarizuar axhendën para fazës përgatitore që do të zhvillohet jashtë Shqipërisë. Do të luhen pikërisht dy miqësore në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa kuqeblutë po presin të mësojnë kundërshtarin në Conference League. E para do të jetë më 14 qershor përballë “Vllaznia Elitë”, që funksionon në Milano dhe ka futbollistë shqiptarë. Miqësorja e dytë do të zhvillohet përballë Deçiqit, klub shqiptar që luan në Maqedoninë e Veriut. Ndaj tyre është vendosur data 21 qershor.
NJOFTIMI I VLLAZNISË:
“Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet europiane, stafi teknik në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit kanë menduar zhvillimin e të paktën dy ndeshjeve miqësore, para se skuadra të spostohet jashtë vendit për të zhvilluar atje pjesën më intensive të përgatitjeve.
Më datë 14 qershor është planifikuar të luhet miqësorja me “Vllaznia Elite”, ekip ky që funksionon në Milano dhe është i përbërë nga futbollistë shqiptarë.
Ndërsa më 21 qershor, Vllaznia do të luajë një ndeshje miqësore me ekipin e Deçiqit të Tuzit, i cili pak ditë më parë u shpall edhe fitues i Kupës së Malit të Zi. Të dyja këto ndeshje do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do t’i shërbejnë stafit teknik për të kolauduar sa më mirë ekipin në prag të sfidave të ‘Conference League’”.