Vllaznia nis merkaton në dalje, ku janari pritet të ketë disa largime. Një prej emrave më të lakuar për të shkëputur marrëdhënien me klubin kuqeblu është Marko Juriç. Mbrojtësi kroat duket se nuk ka bindur me performancën e tij në pjesën e parë të sezonit, ku edhe dëmtimet kanë qenë të shumta për shtatlartin.
Kështu, ai nuk shihet si një garanci për vijimësinë e sezonit në radhët e kuqebluve. Lojtari 29-vjeçar është pjesë e shkodranëve prej 2.5 vitesh dhe aventura e tij tashmë duket afër fundit. Serjan Repaj, mbrojtësin shkodran që në sezonet e fundit është aktivizuar tek Apolonia, do të zëvendësojë ish futbollistin e Shiroki Brijeg.
Vllaznia ndryshoi më shumë se gjysmën e ekipit në merkaton e verës që shkoi. Shkodranët larguan 10 futbollistë nga skuadra dhe më pas afruan 8 të tjerë. Klubi u mundua të ndryshojnë disi “fytyrën” e kuqebluve dhe deri tani gjërat kanë ecur mirë këtë edicion. Vllaznia është brenda “Final 4” dhe rrjedhimisht brenda objektivit. Fatin e 22-vjeçarit pritet të ketë edhe sulmuesi Matouti, që me shumë gjasa për pjesën e ngelur të sezonit nuk do jetë më në radhët e 9 herë kampionëve të vendit.
Nga gjithë futbollistët e afruar në verë, duke përjashtuar Gurishtën, i cili konsiderohet se “djali i shtëpisë”, vetëm Klinti Qato ka arritur të bindë plotësisht. Mesfushori nga Kuçova ka fituar menjëherë vendin e titullarit në skuadër, ai ka rënë në sy për shpirtin luftarak dhe grintën e shfaqur në fushë. Ish-mesfushori i Laçit madje ka gjetur edhe rrugën e rrjetës.
Larg pritshmërive janë Deliu dhe Kahrimanoviç, të cilët në fakt kanë pasur edhe dëmtime, që i kanë lënë jashtë fushave për shumë ndeshje. Kahrimanoviç dhe Deliu kanë pasur shumë ulje-ngritje, kurse për ndonjë tjetër si Tafili, minutat kanë qenë me pikatore. Kjo do të thotë se merkato e zhvilluar në verë nga kuqeblutë nuk ka qenë edhe aq e goditur. Më shumë janë futbollistët e sezonit të shkuar që ende po mbajnë peshën kryesore të skuadrës shkodrane.