Pas emrit të Sherif Kallakut, një tjetër emër i cili ka marrë vëmendje të madhe për mesfushën te Vllaznia është ai i Arbin Zejnullait.
Mesfushori nga Tetova, i cili ka qenë pjesë e Egnatias në 3 sezonet e fundit, aktualisht është një futbollist i lirë. Sipas asaj çfarë përflitet, drejtuesit e klubit kanë kontaktuar me 26-vjeçarin, duke dëgjuar edhe kërkesat e tij ekonomike. Por, pa asnjë lloj premtimi nga ana e futbollistit, i cili duket se ka në “dorë” një ofertë nga Turqia.
Dhe ka marrë kohë për t’i kthyer një përgjigje përfundimtare ofertës dhe interesimit konkret të kuqebluve, të cilët duket se do këmbëngulin deri në fund për të siguruar shërbimet e Zejnullait, që vlerësohet shumë për cilësitë dhe polivalencën e tij në fushën e lojës, ku ish-futbollisti i Egnatias mund të luajë si mesfushor qendror, i avancuar apo edhe në krah.
E pikërisht të tilla cilësi e bëjnë shumë të dëshiruar në merkato, ku edhe ofertat ndaj tij aktualisht nuk mungojnë. Pavarësisht se në synimet e mesfushorit është një transferim në një kampionat jashtë vendit, në rast se diçka e tillë nuk realizohet, atëherë një opsion serioz për të vijuar karrierën duket se do jetë Vllaznia për tetovarin.
FIRMA ME GRUDËN
Egnatia ka afruar në merkato Ildi Grudën. Sulmuesi, i cili vjen nga Vllaznia, ka firmosur një kontratë të vlefshme për 2 vite. Lajmi është bërë publik nga klubi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.Gruda luajti 22 ndeshje në kampionat në sezonin e kaluar, ku realizoi 4 gola. Më herët, ai ka luajtur edhe për Teutën.