Vllaznia dhe Egnatia do të përballen më 12 maj për të luajtur finalen e madhe të Superiores. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare”, do të startojë në orën 20:00.
Disa ditë para këtij dueli, në rrjetet sociale ka reguar presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi. Ky i fundit u bën thirrje të gjithë tifozëve shkodranë që më 12 maj të jenë të pranishëm në “Arenën Kombëtare”, për ta kthyer stadiumin në shtëpinë e tyre.
“Arenën do ta bëjmë Shkodër! Finalja për titull na thërret! Të gjithë bashkë, të gjithë kuqeblu, le ta mbushim Arenën Kombëtare dhe ta kthejmë në shtëpinë tonë! Të gjithë për Vllazninë! Bashkë për lavdi, bashkë për historinë! Një jetë, dy ngjyra, një skuadër”, shkruan Xhaferi.
STATISTIKAT NDAJ EGNATIAS
Janë gjashtë fitore të Vllaznisë nga 25 lojëra të zhvilluara 21 vitet e fundit. Pra, shkodranët nisen në disavantazh statistikash në këtë sfidë për titullin kampion. Sezonin e shkuar në gjysmëfinale u eliminuan nga një barazim, ndërsa këtë vit e kanë mundur 3-1 dhe rrogozhinasit ua kthyen me një 0-2. Ndeshja e fundit mes dy ekipeve është mbyllur 2-2 në “Arena Egnatia”. Për Vllazninë, një fitore është në Rrogozhinë dhe pesë të tjera në “Loro Boriçi”.
Dy ekipet gjithashtu nuk kanë qenë spektakolare në fushën e lojës, pasi në 25 takime, Egnatia ka shënuar 34 gola, ndërsa Vllaznia 22. Pak a shumë 1.4 gola për ndeshje të shënuar nga Egnatia dhe 0.88 gola për takim për shkodranët. Balancat janë për kampionët, por Vllaznia kërkon mrekullinë dhe do të bëjë të pamundurën për të thyer tersin “Egnatia”.
Comments are closed