Vllaznia dhe Dinamo do të masin forcat nesër në “Arena Kombëtare”. Ndeshja do të nisë në orën 20:00 dhe vlen për gjysmëfinalen e Final Four. Trajneri Brdaric foli në konferencë për shtyp, i bindur që Vllaznia do të shkojë në finalen e madhe. Për këtë kuqeblutë kanë edhe avantazhin e barazimit.
DEKLARATA E THOMAS BRDARIC
“Nesër është një sfidë mjaft e madhe. Duhet të punojmë shumë që të shkojmë në hapin e radhës. Në përgjithësi duhet të shkojmë dy hapa përpara. Nesër është hapi i parë për të shkuar në finale, ky është objektivi dhe çfarë të gjithë kërkojnë.
Kemi punuar fort në këto dy ditë tani. Dhe rrugëtimi ynë është vetëm që të vazhdojmë, e dimë për situatën. Do bëjmë çdo gjë për të arritur finalen, me cilësitë tona duhet që momenti të jetë në krahun tonë, të luajmë çdo gjë për 90 minuta. Shkojmë në këtë ndeshje vetëm për fitore. Do të shohim pas 90 minutave si ishte rezultati, por nuk mund të shkojmë në ndeshje për barazimin, normale që duhet të jemi në balancë në sulm dhe mbrojtje. E kuptojmë që barazimi është mjaftueshëm, por në mendjen tonë duhet të jetë vetëm fitorja për këtë ndeshje.
Jemi të bindur që kemi të gjithë lojtarët të gatshëm, të marrim maksimumin për lojtarët që kemi. Gjithsecili ka punuar fort deri në këtë moment, tani vetëm jemi gati për lojë. Duhet të kuptojmë se është ndeshja e shtatë me Dinamon këtë sezon, e dimë që do të jetë e fundit kundër tyre. T’u tregojmë që marrim vendimet e duhura përgjatë 90 minutave dhe të marrim fitoren në krahun tonë.
Nga njëra anë duhet ta përdorim si revansh. Kjo është një event special dhe për këtë duhet të jemi sa më të përgatitur. Ilir Daja është me shumë eksperiencë. Është një trajner që mendon shumë gjatë, e dimë që do e përgatisë ekipin e tij në maksimum, por normal do bëjmë diferencën, të tregojmë që jemi ekipi më i mirë. Nuk është koha për të ëndërruar, është koha për të qenë 100% të fokusuar, të kemi sjelljen e duhur në fushë që të jemi sa më të gatshëm dhe të japim pastaj rezultat. Vetëm Dinamo, 90 minuta, fokusi në atë ndeshje, edhe të shohim nëse e meritojmë finalen. Vllaznia në finale? Po”