Gjykata e rrethit Tiranë ka vënë masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Liridon Pekës, i cili vidhte llogaritë e Facebook-ut të shqiptarëve të Kosovës dhe mashtrontë familjarët e tyre e hiqej si vetë zotëruesit e llogarive.
28-vjeçari që merrte llogaritë e Facebook, gjente familjarët e personit që e kishte profilin dhe i shkruante mesazh: “Kam nevojë për para, jam i shtruar në spital”. Pasi shtirej si i afërm dhe thoshte se ishte “i sëmurë” përdorte edhe disa lloje të tjera gënjeshtrash për t’u bërë i besueshëm dhe për të zhvatur sa më shumë para.
Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit dërgonin shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare. Përmes kësaj skeme, i riu kishte mundur të merrte shuma të ndryshme, të cilat kapin në total mbi 100.000 euro.
Policia i sekuestroi 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara pas tërheqjes së shumave monetare, të cilat shërbejnë si prova. Mbi të rëndon akuza “Mashtrimi kompjuterik” dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 6 vjet burg, sakaq Gjykata e Tiranës tashmë ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest në burg”.