VAR, karton i kuq, protesta dhe penallti e humbur. Skënderbeu-Tirana prodhon gjithçka por jo fitues në ndeshjen e javës së 30-të të Kategorisë Superiore. Përballja zhvilluar në Korçë përfundoi me rezultatin 0-0, por situata mund të ishte më ndryshe nëse arbitri Andi Koçi nuk do prishte balancat në fushën e lojës. Në minutën e 13’, Rabiu ndëshkohet me karton të verdhë për një faull ndaj Latifit. Gjyqtari Koçi thirret nga VAR-i për të rishikuar ndërhyrjen e lojtarit të Skënderbeut dhe pas pak çastesh të shikimit të pamjeve, anulon të verdhin dhe i tregon të kuqin futbollistit të Skënderbeut.
U duk se Tirana do të merrte frenat e lojës, por nuk rezultoi kështu. Në minutën e 27′, Rashica provoi nga distanca, por topi përfundoi jashtë. Disa minuta më pas, pas një goditje këndi, gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekje të topit me dorë nga Deliu në zonë. Liço gjuan por Kozi bën heroin duke pritur penalltinë e kapitenit të korçarëve.
PJESA E DYTË
Në pjesën e dytë, Tirana tregohet më këmbëngulëse. Jonuzi në minutën e 48′ do të tentonte nga distanca, por Alia bëri mrekullinë në atë grushtim. Tirana do të kishte mundësi të shënonte në minutën e 69′ me Abazajn, por gabon në mënyrë të pabesueshme duke fluturuar sferën mbi traversë nga një distancë e afërt. Skënderbeu u mundua të aplikonte lojën me kundërsulme, por sulmi korçar nuk ishte në gjendje të shënonte pavarësisht gabimeve në mbrojtjen e Tiranës. Barazim që lë skuadrat në vend numero në klasifikim, me këtë barazim buzëqesh Dinamo që mbetet në vendin e katërt.