FIFA i ka bllokuar merkaton, klubi që militonte në Kategorinë e Parë rrezikon shkrirjen

by S.M

Skuadra e Valbonës, që vetëm pak kohë më parë u rikthye në Kategorinë e Parë pas 21 vitesh mungesë, sot ndodhet në prag të shkrirjes. Sezoni i kaluar, i nisur me shpresa dhe me një skuadër të ndërtuar mirë nga ish-drejtori sportiv Emiljano Gega, përfundoi në mënyrë dramatike për tropojanët.

Valbona, që erdhi si kampione e Kategorisë së Dytë, tregoi se dinte të konkurronte denjësisht edhe me pretendentët më të fortë. Kujtohet ndeshja ndaj Vorës, ku pas vetëm 30 minutash lojë tropojanët kryesonin 3-0, duke dhuruar spektakël të vërtetë. Apo fitorja e thellë 3-0 ndaj Kastriotit, që i dha besim tifozëve se skuadra mund të bënte një sezon të qëndrueshëm. Por problemet financiare e rrëzuan gjithçka.

Presidenca nuk arriti të mbulonte pagat e lojtarëve dhe si pasojë, 10 futbollistë kryesorë u larguan. Ndeshjet e fundit të sezonit u luajtën me vështirësi të mëdha, shpeshherë me vetëm 11 lojtarë në dispozicion dhe pa asnjë rezervë në stol. Pas rënies sërish në Kategorinë e Dytë, situata ka shkuar drejt kolapsit total. Vetëm dy ditë para fillimit të kampionatit, Valbona nuk ka ende një skuadër funksionale. Bashkia e Tropojës po kërkon një administrator që të marrë përsipër ekipin, por askush nuk pranon pa pasur garanci financiare, duke qenë se edhe sezonin e shkuar lojtarët mbetën pa u paguar dhe ekipi braktisi katër ndeshjet e fundit. Ky nuk është rasti i parë.

Në sezonin 2021-22, Valbona ndërpreu pjesëmarrjen në kampionat dhe ra në Kategorinë e Tretë. Sot historia rrezikon të përsëritet, aq më shumë që edhe FIFA u ka bllokuar merkaon për detyrimet e pashlyera. Nëse nuk gjendet një zgjidhje emergjente, gjasat janë që Valbona të mos marrë pjesë fare në sezonin e ri futbollistik, ku sipas kalendarit duhet të luante ndeshjen e parë në Kuçovë kundër Naftëtarit. Një goditje e rëndë për futbollin e Tropojës, që rrezikon të mbetet edhe një herë pa ekip në garat kombëtare.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.