Është caktuar e gjithë axhenda e Partizanit në përballjet ndaj BATE Borisov, të vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League. Për ndeshjen e parë më 11 korrik, Partizani ka arritur një marrëveshje me FSHF-në për ta luajtur në “Air Albania”, ndryshe nga ç’ishte planifikuar më parë. Sfida e parë, e cila do të jetë mjaft përcaktuese, do të luhet në orën 20:45.
Për këtë sfidë, Partizani pritet ta ketë të mbyllur një pjesë të stadiumit për shkak të dënimit të dhënë vitin e shkuar nga UEFA për sjellje jokorrekte të tifozëve pas ndeshjes ndaj Saburtalos në turin e parë të Conference League.

Ndërkohë ditën e sotme, UEFA ka zbuluar edhe gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në sfidën e 11 korrikut. Ky duel iu është besuar një katërshe gjyqtarësh nga Belgjika, me kryesor 35-vjeçarin, Nathan Verboomen, ndërsa asistentët e tij do të jenë Mathias Hillaert dhe Ruben Wyns. Nathan Verboomen ka marrë stemën e FIFA-s në vitin 2019.
