Pas derbit të fituar me shifrat 3-0 kundër Partizanit, për mediat foli një nga liderët e Tiranës, Gledi Mici.
Mbrojtësi shprehet i kënaqur për fitoren e derbit, por nuk feston, sepse, sipas tij, Tirana nuk duhej të ishte në këto pozita në renditje. Mici shprehet se skuadra duhet të bëjë më të mirën në ndeshjet e mbetura, teksa këtë triumf kundër Partizanit, përveçse e vlerëson për pikët, e sheh edhe si një motivim shtesë për ndeshjet e mbetura.
Mici, një sezon i vështirë, por a mund të themi se Tirana merr frymë thellë pas këtij derbi?
Për mua, mund të them se është sezoni më i vështirë i karrierës sime. Me ulje-ngritje të shuma. Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe mendoj se nuk e meritojmë vendin ku jemi, por futbolli kështu e ka, nëse nuk fiton ndeshjet, të lë aty. Sa i përket derbit, më bën të ndihem shumë i lumtur që pas më shumë se dy vitesh kthehemi te fitorja. Por gëzimi zgjat vetëm pas kësaj ndeshjeje, sepse kemi ndeshjen e radhës dhe ende jemi në një pozitë, ku nuk na ka aspak hije.
Sa besim i jep kjo fitore ekipit për të arritur objektivin?
Patjetër që fitorja në derbi të jep krah, të jep besim. Shpresoj që të na motivojë akoma më shumë, t’i fitojmë edhe këto ndeshje që kanë mbetur dhe ta shpëtojmë sezonin, megjithëse as shpëtim nuk quhet, sepse nuk i ka hije këtij klubi të jetë në këto pozita.
E kishit menduar se mund ta mposhtnit Partizanin me këto shifra?
Po, edhe e kishim menduar, sepse hymë në fushë “all-in”. Na duhej vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër. 3-0 ishte si qershia mbi tortë dhe më vjen mirë për sulmuesit që shënuan, por edhe për mbrojtjen dhe portierin që nuk pësuam, sepse kemi qenë të rënduar psikologjikisht. Gjithnjë kemi bërë gol dhe pastaj jemi ndëshkuar.
Sa e vështirë është të luash një derbi nën presionin e vendit të fundit?
Shumë, shumë e vështirë. Kemi pasur presion, por ne këtë profesion kemi, që duhet të menaxhojmë presionin, stresin dhe të gjitha. Siç e thashë, është derbi, por vetëm një ndeshje është. Duhet të shohim ndeshjen e radhës, sepse nuk jemi aty ku duhet.
Ka pasur disa rezultate të dyshimta në javët e fundit. Mendoni se disa ndeshje, që edhe janë komentuar në opinionin publik, po shkojnë kundër Tiranës?
Mua si lojtar nuk më takon të merrem me këto rezultate, nëse ekzistojnë vërtet. Puna jonë është të përqendrohemi vetëm te puna jonë, të marrim rezultatet, sepse në fund të fundit e kemi gjithçka vetë në dorë.
Ka pasur lajme për premio të mundshme të presidentit për fitoren e derbit. Sa të vërteta janë?
Ndaj presidentit mund të jemi edhe pak në borxh, sepse jemi në një situatë jo shumë komode. Ai gjithmonë na është përgjigjur si për premio, ashtu edhe për rroga, kështu që e falënderojmë që na ka mbështetur në këto ditë të vështira dhe na është gjendur pranë. Në këtë situatë që jemi, do të na vinte edhe si turp të kërkonim gjëra të tilla.
Pati një moment acarimi nga ana juaj në momentin e të verdhit, çfarë ndodhi?
Po, ishte një ndërhyrje me intensitet nga ana ime, por nuk mendoj se kishte karakteristikat për karton të verdhë, sepse ai ndëshkim të penalizon gjatë ndeshjes, por nga eksperienca që kam, mendoj se e menaxhova mirë.
Burimi: Panorama Sport